Mburoja e Muslimanit
Libraria Islame Botime Elektronike

Veprimet që lejohen në namaz



Veprimet që lejohen në namaz.

 

Përgatiti: Udha e Besimtarëve

01 - Shpërthimi i të qarës, rënkimit dhe vajtimit: njësoj nëse është nga frika e Allahut apo për shkaqe tjera si rënkimi nga fatkeqësitë dhe dhimbja përderisa të mundin në mënyrë të tillë që nuk mund ta largojë.

Kjo bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: “Kur i lexohen atij ajetet e Rramanit bien në sexhde dhe qajnë.” [Merjem: 58] Ajeti përfshin atë që falet dhe të tjerët.

Transmetohet nga Abdullah bin Esh-Shikhir se ka thënë: “Pashë Profetin sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem duke u falur dhe në kraharor dëgjohej një zë si tenxherja kur vlon, nga e qara.” [E transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, Ibën Khuzejma dhe Ibën Hibani në dy sahihat e tyre e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.]

Transmetohet nga Aliu radiallahu anhu se ka thënë: “Nuk kishim kalorës në luftën e Bedrit përveç Mikdad bin El-Esued; sikur të na shihje, nuk kishte njeri vetëm se në gjumë, përveç Profetit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem nën një pemë, falej dhe qante derisa u gdhi.” [E transmeton Ahmedi, Ibën Khuzejma në Sahihun e tij në kapitullin: (Argumenti se e qara në namaz nuk e prish namazin dhe se lejohet e qara në namaz) e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.]

Ka thënë Abdullah bin Shadadi: “Dëgjova ngashërimën e Umerit dhe isha në safet e fundit kur po lexonte: “I ankohem për merakun dhe mërzinë time, Allahut.” [Jusuf: 86.] [E transmeton Buhariu të varur (mualek): (Kapitulli nëse imami qan në namaz), ka thënë El-Hafidh në El-Fet’h: Këtë ether ia ka dhënë të plotë zinxhirin Seid bin Mensuri Ibën Ujejne nga Ismail bin Muhamed bin Sead që e ka dëgjuar prej Abdullah bin Shadad dhe ka shtuar: “Në namazin e sabahut” ka transmetuar Ibën El-Mundhir nga Ubejd bin Umejr nga Umeri diçka të ngjashme.]

Transmetohet nga Aishja nëna e besimtarëve “Se Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem ka thënë kur ishte sëmurë: Urdhëroni Ebu Bekrin tu prijë njerëzve.” Thotë Aishja: I thashë: “Ebu Bekri nëse zë vendin tënd, nuk e dëgjojnë njerëzit nga e qara, urdhëro Umerin tu prijë!” Aishja i tha Hafsës: Thuaj atij: “Ebu Bekri nëse zë vendin tënd nuk këndon dot nga e qara. Urdhëro Umerin tu prijë njerëzve dhe ajo i tha. Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem tha: Shih, ju jeni të pasjellshme. Urdhëroni Ebu Bekrin tu prijë njerëzve.” Hafsa i tha Aishes: “Nuk më vjen hajër prej teje.” [E transmeton Buhariu.] Caktimi i profetit Ebu Bekrin si imam në namaz në këtë gjendje është argument për lejimin e të qarës në namaz nëse ajo e mund atë.

02 - Kthimi dhe bërja me shenjë të kuptueshme në rast nevoje:

Transmetohet nga Xhabiri se ka thënë: “U sëmur Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe ne u falëm pas tij (ai u fal) ulur ndërsa Ebu Bekri thonte me zë tekbiret e tij. Ai u kthye tek ne dhe na pa neve ulur, na bëri me shenjë neve dhe ne u ulëm, pastaj u falëm si namazi i tij (ulur).” [E transmeton Muslimi.]

Transmetohet nga Sehl Ibën El-Handhalije se ka thënë: “U thirr ikameti për namazin e sabahut. Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem filloi të falej dhe kthente kokën nga rruga. Ka thënë Ebu Daudi: Ai kishte dërguar natën një kalorës në atë rrugë që të bënte rojë.” [E transmeton Ebu Daudi e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani.]

Nuk duhet të kthehesh në namaz pa nevojë, kjo marrë nga hadithi i Aishes - radiallahu anha- se ka thënë: Pyeta Profetin - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - për kthimin e kokës në namaz, ai tha: “Ajo është rrëmbim, rrëmben shejtani nga namazi i njeriut.” [E transmeton Buhariu.]

Transmetohet nga El-Harith El-Esharij - radiallahu anhu - se profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -: “Allahu urdhëroi Jahja bin Zekerija që të punojë me pesë fjalë… ndër to: Allahu ju ka urdhëruar juve për namaz, kur të faleni mos e ktheni kokën sepse Allahu e ngren fytyrën e tij për fytyrën e njeriut të tij në namaz përsa kohë nuk ka kthyer kokën.” [E transmeton Tirmidhiu, Ibën Khuzejma, Ibën Hibani, Hakimi dhe të gjithë e kanë konsideruar të saktë. E ka saktësuar dhe shejh Albani.]

Për më shumë hadithe shiko librin “Sahih Et-Tergib ue Et-Terhib” kapitulli (largimi nga ngritja e shikimit në qiell në namaz).

Kjo është për kthimin me fytyrë ndërsa kthimin me gjithë trupin dhe zhvendosja nga kibla, e prish namazin me unanimitet sepse ka lënë mangët detyrën e kthimit nga kibla.

03 - Vrasja e gjarprit, akrepit, grerëzave apo të tjera të ngjashme që të dëmtojnë:

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se ka thënë: Ka thënë Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -: “Vritini dy të zezat në namaz: gjarprin dhe akrepin.” [E transmeton Ebu Daudi, Nesaiu dhe e saktëson shejh Albani.]

04 - Ecja e paktë kur është e nevojshme:

Transmetohet nga Aishja se ka thënë: “Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem po falej dhe dera ishte e mbyllur. Unë erdha dhe desha ta hap, ai eci dhe e hapi atë, pastaj u kthye në vendin e tij të faljes.” [E transmetojnë Ebu Daudi e të tjerë dhe e saktëson shejh Albani] dhe përmendi se dera ishte në drejtim të kibles.

Ka thënë shejhu ynë në “Silsiletu Es-Sahiha”: Lejimi i veprimeve të lehta të qëllimshme në namaz dhe ka përmendur aty hadithin: “Ai po falej në këmbë namaz vullnetar dhe dera në drejtim të kibles ishte e mbyllur, desha ta hap derën. Ai eci nga e majta apo nga e djathta e hapi derën pastaj u kthye në vendin e tij.”

Transmetohet nga El-Ezrak bin Kajs se ka thënë: “Ishim në El-Ehuaz duke luftuar me harurijet.” [Një grup prej hauarixhve që kundërshtuan Aliun -radiallahu anhu- . U quajtën kështu nga vendi i quajtur Haura’ në afërsi të Kufes – Irak, mbledhja e parë e tyre ishte në këtë vend.] Ndërkohë që isha në breg të lumit kur pashë një burrë që po falej me frerin e kafshës në dorë, ajo donte të ecte dhe ky e ndiqte. – Shu’be thotë ai ishte Ebu Berze El-Eslemij -. Një burrë nga Khauarixhët thotë: O Allah bëji këtij plakut këtë dhe këtë (mallkim)! Kur plaku mbaroi tha: “E dëgjova fjalën tuaj por unë kam luftuar përkrah me profetin - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - në gjashtë, shtatë, apo tetë beteja dhe kam parë lehtësimin e tij. Shkuarja ime pas kafshës është më e dashur për mua sesa ta lija atë të shkonte pas kullotjes së saj e pastaj të ec në këmbë.” [E transmeton Buhariu.]

05 - Mbajtja e fëmijës dhe ngjitja e tij (qëndrimi i tij) me njeriun që falet:

Transmetohet nga Ebu Katade El-Ensarij se “Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - po falej ndërkohë që mbante në krah Umamen të bijën e Zejnebes të bijës së profetit sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem dhe të Ebu El-As bin Rabia bin Abdu Shems, kur bënte sexhde e lëshonte atë dhe kur ngrihej e merrte në krahë.” [E transmeton Buhariu dhe Muslimi.]

Transmetohet nga Abdullah bin Shadad nga i ati i tij se ka thënë: “Doli tek te profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - në një nga namazet e pasdites – drekës ose ikindisë Hasanin ose Husejnin . Doli para profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - dhe e vendosi atë në këmbën e djathtë, pastaj dha tekbir për namaz dhe filloi të falej. Në namaz bëri një sexhde të gjatë. Thotë (transemetuesi): Ngrita kokën në mesin e njerëzve kur pashë fëmijën mbi shpinën e profetit kurse ai në sexhde dhe u ktheva në sexhde. Kur profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - mbaroi namazin njerëzit i thanë: O i dërguar i Allahut, bëre një sexhde të gjatë sa ne menduam se mos ka ndodhur ndonjë gjë apo se po të shpallet. Ai tha: Asgjë nga këto nuk ka ndodhur, por biri im më hipi sipër, nuk desha ta trazoj dhe (desha) të rrinte sa të donte.” [E transmeton Nesaiu, Ibën Asekir, Hakimi dhe e ka saktësuar, me të është pajtuar edhe Dhehebiu.]

Transmetohet nga Abdullah bin Mes’udi se ka thënë: “Profeti sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem falej; kur binte në sexhde Hasani dhe Husejni i hipnin mbi shpinë, nëse (të tjerët) i pengonin, u bënte me shenjë [Kjo është nga argumentet për lejimin e shenjës së kuptueshme në namaz.] që ti linin. Kur mbaronte namazin i vendoste ata në prehrin e tij dhe thonte: Kush më do mua, të dojë këta të dy.” [E transmeton Ibën Khuzejma në Sahihun e tij me zinxhir hasen (të mirë) e të tjerë. E saktëson shejh Albani.]

06 - Dhënia selam atij që falet, komunikimi me të dhe lejimi i kthimit me shenja atij që i jep selam:

Transmetohet nga Xhabiri se ka thënë: “Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - më dërgoi për një nevojë, pastaj e gjeta atë duke ecur (ka thënë Kutejbe: duke u falur), i dhashë selam atij dhe ai ma bëri me shenjë. Kur mbaroi më thirri mua dhe më tha: Ti më dhe selam pak më parë kur unë po falesha dhe ai drejtoheshe ato kohë nga lindja.” [E transmeton Muslimi]

Transmetohet nga Suhajbi se ka thënë: “Kalova pranë Profetit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - kur ai po falej, unë i dhashë selam dhe ai ma ktheu me shenjë. Ka thënë (transmetuesi): Nuk mendoj se ka thënë vetëm se: shenjë me gishtin e tij.” [E transmeton Ebu Daudi, Nesaiu, e të tjerë.]

Transmetohet nga Enes bin Maliku se “Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - bënte me shenjë në namaz.” [E transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Ibën Khuzejma në Sahihun e tij dhe e saktëson shejh Albani.]

Transmetohet nga Ibën Umeri -radiallahu anhuma- se ka thënë: “Doli Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - që të falej në Kuba’.” Aty erdhën ensarët dhe i dhanë selam ndërkohë që ishte në namaz; thotë: I thashë Bilalit: “Si ia ktheu profeti -sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem- atyre kur ata i dhanë selam në namaz?” Ai tha: “Tha kështu, ai shtriu dorën e tij dhe Xheafer bin Aun shtriu dorën e tij, me pëllëmbën poshtë dhe shpinën e dorës nga lart.” [E transmeton Ebu Daudi me zinxhir të mirë dhe tre autorët e suneneve. E saktëson shejh Albani.]

Ka thënë Ibën El-Mundhir në “El-Eusat”: “Të flasësh në namaz nuk lejohet, profeti e ka bërë synet për atë që falet të kthejë selamin me shenja.” Dhe ka përmendur disa hadithe dhe fjalë selefësh për këtë.

Kam kuptuar nga shejhu ynë Allahu e ruajtë se kthimi i selamit me kokë apo me dorë sipas pozicionit të myslimanit, si p.sh të vijë nga pas dhe nuk e sheh lëvizjen e dorës, ai i bën atij shenjë me kokë, apo nëse vjen nga ana që shishet lëvizja e dorës i bën shenjë me dorë– dhe Allahu e di më së miri -.

07 - Thënia SubhanAllah dhe përplasja e shuplakave:

Lejohet tesbihi për burrat përplasja e shuplakave për gratë nëse shfaqet ndonjë problem si vërejtje e imamit kur gabon, si lejim për njeriun që do të futet, si udhëzim për të verbrin dhe gjëra të ngjashme.

Transmetohet nga Sehl bin Sead -radiallahu anhu- nga Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - se ka thënë: “O njerëz nëse ju ndodh ndonjë gjë dhe doni të njoftoni tjetrin dhe filloni të përplasni shuplakat, përplasja e shuplakave është për gratë, kujt i lind nevoja të njoftojë tjetrin në namaz le të thotë SubhanAllah sepse nuk ka njeri që e dëgjon kur thotë SubhanAllah vetëm se i tërheq vërejtjen.” [E transmeton Buhariu dhe Muslimi.]

Në një transmetim tjetër ka ardhur: “…O ju njerëz, ç’keni që kur ju nevojitet të njoftoni për diçka në namaz filloni të përplasni shuplakat?! Përplasja e shuplakave është për gratë. Kush do të njoftojë për diçka në namaz le të thotë SubhanAllah, sepse nuk e dëgjon njeri kur thotë SubhanAllah vetëm se i tërheq vërejtjen.” [E transmeton Buhariu dhe Muslimi.]

Transmetohet nga Ebu Hurejra -radiallahu anhu- se ka thënë: Ka thënë Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -: “Tesbihu është për burrat dhe tesfiku (përplasja e shuplakave) për gratë.” [E transmeton Buhariu dhe Muslimi.]

08 - Ndihma ndaj imamit:

Nëse harron imami një ajet e ndihmon atë xhemati dhe ia kujton.

Transmetohet nga Abdullah bin Umeri “Se Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - fali një namaz, lexoi në të Kuran dhe u ngatërrua.” Kur mbaroi i tha Ubejit: “A u fale me ne?” Ai tha: “Po.” Ai i tha: “Po ç’të pengoi?!” [D.m.th të ma kujtoje.] [E transmeton Ebu Daudi, Tabarani dhe e saktëson shejh Albani.]

Transmetohet nga El-Misuar bin Jezid El-Malikij “Se Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - lexoi në namaz dhe la diçka pa lexuar.” Një burrë i tha atij: “O i dërguar i Allahut, le ajetin kaq e kaq.” Profeti - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem - i tha: “Sikur të ma kishe kujtuar” [E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejh Albani.]

 
This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free