Fikh
“Fikh”
Muavije bin Ebi Sufjan thotë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) duke thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, i mundëson fikhun (kuptimin) e fesë.” [Buhariu dhe Muslimi].
Në gjuhën arabe, “Fikh” do të thotë: “Kuptim” por më vonë kjo fjalë (fikh) u përdor veçanërisht për kuptimin e fesë dhe legjislacionit.
Ajni (RahimehUllah) thotë: “I mundëson fikhun” dmth e bën të kuptojë, sepse fikhu në gjuhën arabe është: Kuptimi! Allahu i Lartësuar thotë: “Që ata të kuptojnë fjalën time!” [Taha 28]. [Umdetu el Karrij 2/42].
Kuptimi (fikhu) në fe është: “Njohja e dispozitave fetare me argumentet përkatëse, njohja e kuptimeve të urdhërave dhe ndalesave dhe praktikimi i tyre e që trashëgon tek ky fakih frikën nga Allahu i Lartësuar dhe ndjenjën e mbikqyrjes së Tij në vetmi dhe para krijesave.”
Shejhul Islam ibn Tejmije (RahimehUllah) ka thënë: “Kuptimi (fikhu) në fe është: Njohja e kuptimeve që vijnë për urdhërat dhe ndalesat me qëllim që njeriu të jetë syçelë në çështjet e fesë së tij.” A nuk e ke lexuar fjalën e Allahut që thotë: “Që të thellohet në Kuptimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t’i frikësohet Allahut.” [Teube 122].