Mburoja e Muslimanit
Libraria Islame Botime Elektronike

Faqja kryesore






Copyright © www.mburojaemuslimanit.page.tl

“Lejohet kopjimi i materialeve por me kusht që të përmendet burimi dhe të mos bëhen ndryshim në to.”




Vlera e kuptimit të fesë.

 

Autor: Shejkh Salih el-Feuzan

Burimi: “Mulakhasul-Fikhij”, vëll.1 fq.7 

Përktheu: Jeton Shasivari

Të gjitha lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Lavdërimet dhe begatitë qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij si dhe ata që i ndoqën ata me mirësi deri në Ditën e Gjykimit.

Më tej:

Vërtetë të kuptuarit e fesë është prej veprave më të vlefshme dhe ajo është shenjë e mirësisë. I Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:

من يرد الله به خيرا يفقه في الدين

“Kujt ia do Allahu të mirën, e bën që ta kuptoj fenë.”

Për arsye se të kuptuarit e fesë arrihet përmes dijes së dobishme e cila bazohet mbi veprën e mirë.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

هُوَ الَّذِي أَرْسَلَ رَسُولَهُ بِالْهُدَىٰ وَدِينِ الْحَقِّ

“Është Ai që ka sjellë të Dërguarin e Tij (Muhamedin) me udhëzim dhe me fenë e së vërtetës (Islamin).” (Et-Teubeh, 33)

Pra, udhëzimi është dija e dobishme dhe feja e së vërtetës është vepra e mirë. Allahu e urdhëroi Pejgamberin e Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – të kërkojë nga Ai që t’i shtojë dijen. I Lartësuari ka thënë:

وَقُل رَّبِّ زِدْنِي عِلْمً

Thuaj: O Zoti im, ma shto dijen.” (Taha, 114)

Hafidh ibën Haxheri ka thënë: “Ky është një argument i qartë për vlerën e dijes, ngase Allahu nuk e urdhëroi Pejgamberin e Tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – që të kërkojë t’i shtohet ndonjë gjë përveç diturisë.” (Fet’hul-Barij, 178/1)

Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i ka quajtur “kopshte të xhennetit” takimet ku mësohet dija e dobishme dhe ka treguar se dijetarët janë trashëguesit e Pejgamberëve.

Pa dyshim se njeriu përpara se të marrë përsipër një punë të caktuar, duhet patjetër të dijë metodën me të cilën do ta kryejë atë punë ashtu siç duhet, në mënyrë që kjo punë të jetë korrekte, për të cilat kihet shpresë se të sjellin në rezultate. Atëherë si është puna kur njeriu i bën një adhurim Zotit të tij, adhurim nga i cili varet shpëtimi i tij nga zjarri dhe hyrja e tij në Xhennet, si mund ta kryejë atë adhurim pa dije?!

Për këtë arsye, për sa i përket dijes dhe veprës njerëzit ndahen në tre grupe:

Grupi i parë: Ata që kanë bashkuar në mes dijes së dobishme dhe veprës së mirë. Ata i ka udhëzuar Allahu në rrugën e drejtë, e ata janë: Pejgamberët, besnikët, shehidët dhe të devotshmit. Sa shok të mirë që janë këta!

Grupi i dytë: Ata që kanë marrë dije të dobishme dhe nuk kanë punuar me të. Mu këta janë ata që kanë fituar zemërimin e Allahut, siç janë Jehudët dhe ata që ndoqën shembullin e tyre.

Grupi i tretë: Ata që kanë punuar pa dije. Ata janë prej pasuesve të devijimit, siç janë të Krishterët dhe ata që ndoqën shembullin e tyre.

Dhe këto tre grupe i përfshin Fjala e Tij, e të Lartësuarit, në Suren el-Fatiha të cilën e lexojmë në çdo rekat të namazeve tona:

اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَلَا الضَّالِّينَ

“Na udhëzo në Rrugën e Drejtë, në Rrugën e atyre të cilëve Ti u ke dhuruar Mëshirën Tënde, Jo në (rrugë) të atyre që e merituan Zemërimin Tënd mbi vete dhe as në (rrugë) të atyre të cilët e humbën veten.” (El-Fatiha, 5 - 7)

Imami, Shejkhu, Muhamed ibën Abdul-Uehhab – RahimehUllah – ka thënë: “Kurse Fjala e Tij: “Jo në (rrugë) të atyre që e merituan Zemërimin Tënd mbi vete dhe as në (rrugë) të atyre të cilët e humbën veten.” Ata që e kanë merituar Zemërimin e Allahut janë dijetarët të cilët nuk kanë punuar me dijen e tyre, kurse të humburit janë ata që kanë punuar pa dije. Kështu që, e para është cilësi e Jehudëve kurse e dyta është cilësi e të Krishterëve. Shumë njerëz kur shohin në tefsir se Jehudët janë ata që kanë merituar zemërimin e Allahut dhe të Krishterët janë të humburit, injoranti mendon se ky (ajet) është i kufizuar vetëm për ata, kurse ai lexon se Zoti i Tij ia ka bërë obligim atij që të lutet me këtë lutje dhe të kërkojë mbrojtje nga rruga e pasuesve të këtyre cilësive. I Pastër nga çdo e metë je Ti o Allah. Si ka mundësi që Allahu e mëson atë, dhe i zgjedh atij dhe e obligon atë që t’i lutet gjithmonë Zotit të Tij, mëgjithëkëtë ai nuk ka kujdes ndaj kësaj dhe nuk mendon se vepra e tij është mendim i keq për Allahun?” (Mbaroi fjala e Shejkhut, RahimehUllah.)

Ky na sqaron urtësinë në lidhje me obligueshmërinë e leximit të kësaj sureje të madhe – Sureja el-Fatiha – në çdo rekat të namazit tonë, farze apo nafile, Sure e cila ngërthen në vete fsheftësi të mëdha, dhe një prej saj është kjo lutje madhështore: Që Allahu të na japë sukses në ndjekjen e rrugës së pasuesve të dijes së dobishme dhe veprës së mirë, e cila është rruga e shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër dhe të na shpëtojë nga rruga e atyre shkatërrimtarëve, të cilët i braktisën veprat e mira dhe dijen e dobishme.

Pastaj, dije! O ti lexues i nderuar se dituria e dobishme merret prej Kur’anit dhe Sunnetit duke i kuptuar ato dhe duke medituar për to, e cila arrihet përmes ndihmës së mësuesve këshillues, dhe përmes librave të tefsirit dhe shpjegimeve të haditheve, dhe librave të fik’hut, librave të gramtatikës dhe gjuhës Arabe, në të cilën gjuhë ka zbritur Kur’ani Fisnik. Këto libra janë një rrugë për ta kuptuar Kur’anin dhe Sunnetin.

Andaj, o ti vëlla musliman – që vepra jotë te jetë e saktë – e ke për detyrë të mësosh atë që të bën të qëndrueshëm në fenë tënde, e që është namazi yt, agjërimi yt dhe Haxhi yt. Të mësosh dispozitat e Zekatit të pasurisë tënde dhe po ashtu të mësosh dispozitat e shitblerjes për të cilat ke nevojë, që të marrësh prej tyre atë që e ka lejuar Allahu për ty dhe të zmbrapsesh prej asaj që e ka ndaluar Allahu për ty, në mënyrë që përfitimi jot të jetë hallall, ushqimi jot të jetë hallall, me qëllim që lutja jote të pranohet.

Për të gjitha këto ke nevojë që të mësosh dhe kjo është e lehtë me lejen e Allahut nëse vendosmëria jote është e saktë dhe qëllimi jot është i sinqertë. Andaj, ki zell për të lexuar librat e dobishëm (të fesë) dhe lidhu me dijetarët që t’i pyesësh për atë që je në mëdyshje, merri prej tyre dispozitat e fesë tënde. Gjithashtu kujdesu që të prezantosh në seminaret dhe ligjëratat e tyre fetare që mbahen nëpër xhamia apo diku tjetër, dhe dëgjoi programet fetare në radio, lexo revistat fetare, transmetimet si dhe broshurat që flasin për çështjet e fesë. Nëse ti ke zell dhe i ndjek këto linja të mirësisë, të shtohen informatat e tua dhe shkëlqen dija jote.

Mos harro o vëlla se dituria shtohet dhe rritet me vepra. Pra, nëse ti punon me atë që mëson, Allahu ta shton dijen. Siç thotë një fjalë e urtë:

من عمل بما علم أورثه الله علم ما لم يعلم

“Kush punon me atë që e mëson, Allahu do ta trashëgojë me një dije që nuk e ka ditur.”

Për këtë është dëshmi Fjala e Tij, të Lartësuarit:

وَاتَّقُوا اللَّـهَ ۖ وَيُعَلِّمُكُمُ اللَّـهُ ۗ وَاللَّـهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ

“Dhe ia kini frikën Allahut; dhe Allahu ju mëson ju. Dhe Allahu është i Gjithëdituri për çdo gjë.” (El-Bekare, 282)

Dija është ajo që ka më shumë të drejtë që ta shpenzosh kohën për të, ata që kanë logjikë të shëndoshë bëjnë gara për ta fituar atë (dijen) dhe përmes dijes ngjallen zemrat dhe shtohen veprat (e mira).

Allahu – e Madhëruar është Përmendja e Tij dhe të Shenjtë janë Emrat e Tij – i ka lavdëruar dijetarët që kanë vepra (e jo vetëm fjalë, sh.p) dhe ua ka ngritur pozitën e tyre në Librin e qartë. I Lartësuari ka thënë:

هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لَا يَعْلَمُونَ ۗ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُولُو الْأَلْبَابِ

“A janë ata që dinë, njësoj me ata që nuk dinë?” Janë vetëm njerëzit e brumosur me mendje të shëndoshë të cilët me të vërtetë do të përkujtojnë (e do të marrin mësim nga Fjalët dhe Shenjat e Allahut).” (Ez-Zumer, 9)

Po ashtu, i Lartësuari ka thënë:

يَرْفَعِ اللَّـهُ الَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ وَالَّذِينَ أُوتُوا الْعِلْمَ دَرَجَاتٍ ۚ وَاللَّـهُ بِمَا تَعْمَلُونَ خَبِيرٌ

“Allahu i lartëson në grada të larta ata që besojnë dhe atyre që u është dhënë dija. Dhe Allahu është i Mirënjohur për gjithçka që ju punoni.” (El-Muxahdele, 11)

Allahu – Subhanehu ue Te’ala – e tregoi meritën e atyre që u është dhënë dije që është e lidhur me iman, më pas tregoi se ai është i Gjithëdijshëm për atë që punojmë dhe Ai e vëzhgon atë vepër, që të na tregojë neve se duhet patjetër të bëhet bashkim në mes dijes dhe veprës dhe të gjitha ato vepra të vijnë si pasojë e imanit dhe dije se Allahu – Subhanehu ue Te’ala – e vëzhgon atë.

Dhe ne – duke mbaruar detyrën e bashkëpunimit në punë të mira dhe devotshmëri – do t’ju ofrojmë me Fuqinë e Allahut dhe Madhërinë e Tij përmes këtij libri disa informata nga kapitali i jurisprudencës që dijetarët tanë i kanë nxjerrë për neve dhe i kanë shkruar në librat e tyre. Do t’ju ofrojmë atë që është e lehtë, shpresojmë që kjo t’ju shtyjë që të përfitoni dhe ta shtoni dijen e dobishme.

E lusim Allahun që të na shtojë neve dhe juve dijen e dobishme, dhe të na japë sukses në bërjen e veprave të mira. Dhe e lusim Atë – të Pastrin nga çdo mangësi – që të na bëjë ta shohim të vërtetën si të vërtetë dhe të na begatojë me ndjekjen e saj dhe të na bëjë ta shohim të pavërtetën si të pavërtetë dhe të na begatojë me largimin prej saj. Vërtetë, Ai dëgjon gjithçka dhe u përgjigjet lutjeve.


18 Këshilla nga sahabët dhe dijetarët e hershëm për rëndësinë e Sunetit...

Marrë nga libri: “Sherh usul i’tikad ehlu suneh ue el-xheme’a” i imam El-lalekai (v. 418 h.)

- 01. Ka thënë Muhamed bin El-Hanefije: “Nuk do të zhduket kjo botë përpara se njerëzit të debatojnë rreth realitetit të Zotit të tyre.”

- 02. Ka thënë El-Ehnaf bin Kajs: “Debatet e tepërta mbjellin hipokrizinë në zemër.”

- 03. Ka thënë Taus: Në çdo rast që e ka përmendur Allahu egon në Kuran, e ka kritikuar atë.”

- 04. Ka thënë Sufjan Eth-Theurij: “Bidati është më i dashur tek Iblisi se sa mëkati, sepse nga mëkati pendohesh kurse nga bidati nuk pendohesh.”

- 05. Ka thënë El-Euzaij: “Kur Allahu nuk dëshiron të mirën për disa njerëz i shtyn ata drejt debateve dhe i pengon nga vepra.”

- 06. Ka thënë El-Euzaij: “Duro në përqendrimin në Sunet, ndalo aty ku ndaluan edhe njerëzit, thuaj atë që thanë edhe ata, përmbahu nga ajo që u përmbajtën edhe ata dhe ndiqe rrugën e të parëve të mirë, sepse ajo që i mjaftoi atyre të mjafton edhe ty.”

- 07. Ka thënë imam Ahmedi: “Bazat e Sunetit tek ne janë: “Përqëndrimi në rrugën e sahabëve të të Dërguarit të Allahut dhe pasimi i tyre, largimi nga bidatet, sepse çdo bidat është humbje, largimi nga debatet dhe largimi nga qëndrimi me njerëzit që pasojnë egot dhe epshin e tyre.”

- 08. Ka thënë Muhamed bin Sirin: “E konsideronin dikënd të udhëzuar për aq kohë sa ai ndiqte gjurmët (e të parëve).”

- 09. Ka thënë Shadh bin Jahja: “Nuk ka rrugë më të shkurtër për në Xhenet se sa rruga e pasimit të gjurmëve të të parëve.”

- 10. Ka thënë Abdullah bin Mes’ud: “Do të vijnë njerëz që lënë nga Suneti sa përmasa e mollëzës së gishtit, nëse i lini ata (pa i këshilluar dhe ndaluar), atëherë do të vijnë me gjëmën e madhe. Ithatërt e Librit fillimisht lanë Sunetin dhe në fund lanë namazin, e nëse nuk do t’u vinte turp, atëherë do të linin edhe namazin.”

- 11. Ka thënë Abdullah bin Umer: “Çdo bidat është humbje edhe nëse njerëzit e gjykojnë si të mirë.”

- 12. Ka thënë Ez-Zuhrij: “Përqëndrimi pas Sunetit është shpëtim.”

- 13. Ka thënë Sufjan bin Ujejne: “Silluni mirë me ata që i përmbahen Sunetit, sepse ata janë si të huaj ndër njerëzit e tjerë.”

- 14. Ka thënë Fudejl bin Ijad: “Ka disa njerëz me anë të të cilëve Allahu ngjall vende dhe ata janë pasuesit e Sunetit. Ai që e di se çfarë ushqimi (hallall apo haram) fut në stomakun e tij është prej palës së Allahut.”

- 15. Ka thënë Aun: “Ai i cili vdes me Islam dhe Sunet meriton përgëzimin më të mirë.”

- 16. Ka thënë Muhamed bin Abdu El-Ala: “Kam dëgjuar Mu’temir bin Sulejman të thotë: “Shkova i mërzitur tek babai im”, ai kur më pa tha: Çfarë ke?” Thashë: Vdiq një miku im.” Tha: “A vdiq i përqëndruar në Sunet?” Thashë: “Po.” Tha: Atëherë mos u shqetëso!”

- 17. Ka thënë Abdullah bin Ukejm: “Njerëzit janë në hajër për aq kohë sa e marrin diturinë nga (dijetarët) të mëdhenjtë dhe kur të vegjlit (në dituri) nuk flasin para të mëdhenjve, e nëse flet i vogli para të madhit (më të diturit), atëherë do të shkatërrohen.”

- 18. Ka thënë Alij bin ebi Talib: “Largojuni debateve (pa dobi), sepse ato asgjesojnë Fenë.”


Vlera e Leximit të Librave.

Autor: Ibn ‘Abdul-Berr (RahimehUllah)

Burimi: Xhami’ Bejan el-‘Ilm ue Fadlihi”

Përktheu: Alban Malaj

- 2414: Ebu ‘Abdullah Muhamed bin Isma’il el-Bukhari është pyetur:

“Çfarë e forcon kujtesën?”

Ai u përgjigj: “Shikimi i shpeshtë mbi libra.”

- 2415: Ahmed bin Ebi ‘Imran ka thënë: “Isha me Ebu Ejub Ahmed bin Muhamed bin Shuxhe’ i cili po rrinte në shtëpinë e tij. Ai dërgoi një nga djemtë e tij tek Ebu ‘Abdilah bin el-A’rabi për ta ftuar.” Djali u kthye duke thënë: I kërkova atij dhe ai ma ktheu: “Unë jam me një grup. Dhe kur të mbaroj së mësuari nga ata, do të jem aty.” Unë s’pashë as edhe një njeri të vetëm në shtëpinë e tij. Por, ai kishte para vetes libra të cilët po i shqyrtonte. Ai shikonte për njëfarë kohe tek ky libër dhe pastaj shikonte tek një libër tjetër.”

Pak kohë më vonë, ai erdhi. Kështu, Ebu Ejubi i tha: “O Ebu ‘Abdilah! I Lartësuar qoftë Allahu i Madhëruar! Ti ndenjte pas dhe na privove nga prania jote; biri im tha se ai nuk kishte parë asnjë njeri me ty dhe se ti the që ishe me një grup dhe se do të vije menjëherë sa të mbaroje së mësuari nga ata!”

- Ibnul-A’rabi tha: “Ne kemi shokë të cilët ulen me ne dhe nuk na shqetësojnë, besnikë që mund t’u zësh besë kur janë të pranishëm ose kur mungojnë. Ata na bëjnë dobi me dijen e tyre rreth ngjarjeve të shkuara; dhe mençuri, sjellje dhe mendime që janë të kulluara; Pa patur frikë për konflikte apo shoqëri të keqe, dhe nga gjuha dhe dora e tyre nuk ke asfarë frike; Kështu, nëse thua se ata janë të vdekur! Ti po rrenë, dhe nëse thua se ata janë të gjallë, të vërtetën e ke pranë...”1

- 2416: I thanë Ebil-‘Abbas Ahmed bin Jahja (Tha’leb): “Njerëzit e ndiejnë shumë mungesën tënde. Sikur ta lije shtëpinë për pak dhe të dilje tek njerëzit që ata të mund të përfitojnë nga ty dhe t’i t’u bësh dobi atyre.”

Ai ndenjti i heshtur gati një orë dhe tha: “Sikur të shoqëronim mbretërit, ata do të silleshin me ne plot mendjemadhësi, dhe do t’i shkelnin me këmbë të drejtat e atyre që po i mbajnë në shoqëri. Ose sikur tregëtarët t’i shoqëronim, ne do të ishim pikëlluar, dhe veç para do të numëronim. Kështu, qëndruam në shtëpitë tona duke nxjerrë dije, dhe duke mbushur me të stomaqet e këtyre faqeve.”

- 2419: Nga ajo çfarë është mbajtur mend në të kaluarën: “Çfarë ligjëruesi dhe çfarë shoku i mirë që është libri! Mund ta izolosh veten me të nëse shokët të mbysin në mërzi; Ai nuk t’i nxjerr sekretet dhe nuk ka mendjemadhësi, dhe prej tij mund të fitosh urtësi dhe mirësi...”

- 2420: Ahmed bin Muhamed bin Ahmed recitoi: “Gjëja më e ëmbël pas devotshmërisë që një i ri mund të dojë, është dija e zubukuruar për të që ai ta kërkojë. Dhe për çdo kërkues ka një kënaqësi të cilën ai e dëshiron, kurse kënaqësia e dijetarit tek librat e tij qëndron.”

- 2421: Ai më kërkoi që t’i bashkangjisja as që tha më parë këtë që vijon dhe e bëra menjëherë në praninë e tij: “Libri ia heq lexuesit merakun, dhe kur ai lexon, lodhja e tij sakaq shkon. Çfarë shoku i mirë është ai nëse me të izolohesh, E s’ke frikë nga ai mos në kurthe a probleme të biesh.”

- 2424: Ebu ‘Amr bin el-‘Ala’ ka thënë: “Nuk ka ndodhur asnjëherë që të kem hyrë tek ndonjë njeri apo të kaloj pranë derës së tij – duke e parë atë me një libër në dorë ndërsa shoku i tij rri kot – përveç se kam gjykuar se ai është më i mençuri.”

- 2425: ‘Abdullah bin ‘Abdul-‘Aziz bin ‘Umer bin ‘Abdul-‘Aziz ka thënë: “Kurrë nuk kam parë ndonjëherë këshillues më të mirë sesa varri, apo ndonjë gjë tjetër që të jep më shumë kënaqësi sesa libri, apo ndonjë gjë më të sigurtë sesa mospatja shoqëri.”

- 2426: el-Hasen el-Lu’lu’i ka thënë: “Dyzetë vjet kanë kaluar nga jeta ime në të cilën kurrë nuk jam zgjuar apo të kem rënë në gjumë e të mos kem patur një libër që rrinte mbi kraharorin tim.”


1 - Shp: Ai nuk gënjeu sepse e kishte fjalën për librat që ishin miqtë e tij dhe këto janë fjalë metaforike (me’arid) që nuk konsiderohen si gënjeshtër, sikurse është transmetuar saktësisht nga ‘Imran bin Husejni, ‘Umer bin el-Khattab dhe Ibn ‘Abbasi (radij-Allahu ‘anhum).


Rreth të drejtës së autorit në përkthime, hulumtime dhe çështje të tjera që lidhen me të drejtat intelektuale në Islam.

Autor: Shejkh Muhamed Ibn ‘Umer Bazmul

Burimi: Bakkah.net

Përktheu: Alban Malaj

 

Me Emrin e Allahut. E gjithë lavdia i takon Allahut. Lavdërimet dhe bekimet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, si dhe mbi Familjen e tij, mbi Shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasuan atë.

Ky vëlla pyet: Ç’gjykim ka ajo që njihet si “e drejta e autorit”? Po ju pyes sepse unë kam një faqe në internet në të cilën unë përkthej fetva të disa dijetarëve dhe studentëve të tyre. Pastaj, unë jap shërbimin tim në këto përkthime dhe në çdo gjë të nevojshme që lidhet me to, duke vendosur fusnota për suret dhe ajetet e Kur'anit, burimin e haditheve, si dhe jap sqarim për disa terma të cilat mund të hasen në fjalën e autorit të fetvasë. Duhet patur parasysh se unë nuk i përhap këto fetva apo këto artikuj veçse pasi që kam marrë leje nga autori. Kështu që, a kanë të drejtë ndokush që të marrë atë që vendos unë në faqen time dhe ta publikojë në faqen e tij?

Si përgjigje për këtë pyetje them: Kjo është një prej çështjeve dhe dukurive që janë shfaqur në këtë shekull, e cila njihet si “el-Hukuuk el-Fikrijjeh” [të drejtat intelektuale] apo “el-Hukuuk el-Ma’neuijjeh” [të drejtat morale].

Dhe ajo që është e qartë nga fjalët e Njerëzve të Dijes, ata të cilët e kanë studjuar këtë çështje, është se i jepet e drejta autorit të shkrimit, apo autorit të përkthimit, apo autorit të veprës për atë gjë që ka bërë, dhe askush nuk ka të drejtë që të transportojë nga fjalët e tij, për të cilat ai u lodh, derdhi mund, punoi dhe e publikoi në faqen e tij. Askush nuk ka të drejtë që ta marrë atë nga faqja e tij pa treguar autorin e saj apo pa marrë leje nga autori i saj. E me të vërtetë kjo është një formë shkeljeje e të drejtave.

Mirëpo disa prej Njerëzve të Dijes kanë bërë të ditur për një vërejtje tjetër, e cila është: se duhet të ketë njëfarë tolerimi për çështjet e Fesë, çështjet e Sheriatit, në mënyrë që dobia në to të jetë sa më e madhe, por me kushte. Prej këtyre kushteve:

01 - t’i atribohet dobia atij që e solli atë,

02 - të përmbushet amaneti i përcjelljes dhe përmendja e burimit me saktësi,

03 - të merret leje nëse është e mundur, ashtu siç e përmban Sheriati.

Dhe kuptimi i këtyre fjalëve të dijetarëve është që të ketë tolerancë në kompensimin financiar për këto të drejta intelektuale në çështjet që lidhen me Fenë.

Dhe kjo fjalë në realitet është një këndvështrim. Dhe Shejkh Salih el-Husejjin, Drejtori i Përgjithshëm i Kryesisë së Dy Harameve, e ka trajtuar këtë temë në një hulumtim të mirë që ka të bëjë me studimet rreth Sheriatit dhe Fik’hut.

Gjithashtu, prej hulumtimeve të mëherëshme që janë bërë në këtë fushë është edhe ai që ka bërë Dr. Fet`hi ed-Durajni. Ai e ka studjuar çështjen që lidhet me të drejtën intelektuale. Gjithashtu ka edhe një numër shkrimesh të tjera rreth kësaj çështjeje, dhe të gjitha ato nxjerrin përfundimin se:

01 - pronësia intelektuale dhe të drejtat e autorit janë legjitime dhe i përkasin hulumtuesit, autorit ose përkthyesit,

02 - nuk duhet të shkelet e drejta e tij,

03 - nëse ka ndonjë përfitim financiar (që lidhet me atë punën e bërë), atëherë ai e meriton atë më shumë se kushdoqoftë tjetër,

04 - nuk mund të nxirret përfitim nga kjo vepër, veçse pasi që të marret leje nga autori i saj, dhe pasi që të përmbushet amanetin në transportim dhe në atribuim,

05 - dhe të publikohet ajo vepër në atë formë me të cilën është i kënaqur autori i saj.

Kjo është ajo që di rreth kësaj çështjeje. Dhe Allahu e di më së miri.

Pyetje nga Musa Riçardson: Po nëse dikush merr disa nga përkthimet apo takhrixhate (nxjerrje të zinxhirëve të haditheve), apo punë të tjera që i bëri dhe i përktheu autori i tyre, dhe pastaj i vendos në faqen e tij pa ia referuar burimit nga i mori, ose pa vendosur ndonjë link (lidhje) të burimit apo ndonjë të dhënë tjetër. Atëherë çfarë duhet të bëjë ai dhe si të sillemi me atë kur bën një gjë të tillë?

Përgjigje nga Shejkh Muhamed Bazmul: Përgjigja për këtë pyetje është tek ajo që sapo thashë, se me të vërtetë ky veprim është shkelje ndaj pronës së vëllait të tij Musliman. Dhe ky veprim është i ngjashëm me vjedhjen sepse kjo është vjedhje e të drejtës së autorit. Dhe vjedhja sipas përkufizimit Sheriatik është marrja e gjërave me vlerë çerek dinari apo më shumë.

Sidoqoftë, unë them se është detyrë për atë që e ka bërë këtë veprim që ta fshijë materialin, të kërkojë leje nga pronari dhe të mos e publikojë atë derisa të marrë lejen e tij. Dhe nëse ai e ka shfrytëzuar këtë material, ka bërë ndryshime dhe ka tjetërsuar në të dhe ka mashtruar në të, atëherë kjo që ka bërë ai është krim ndaj autorit të materialit origjinal dhe krim ndaj mundit të këtij vëllait që bëri këtë përkthim apo mësim, dhe ky është veprim i pahijshëm.

Dhe s’ka dyshim që njerëzit që kanë frikë, që janë të kapur pas fesë dhe kanë devotshmëri kujdesen përherë që të arrijnë bereqetin. Porse bereqeti nuk arrihet në diçka duke ndjekur këtë rrugë. Dhe nëse informacioni merret me këtë rrugë, atëherë në të s’do të ketë bereqet. Nëse kjo bëhet në shit-blerje, i Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem):

“Dy pjesëmarrësit në tregëti kanë të drejtën e zgjedhjes për sa kohë që nuk ndahen nga njëri-tjetri. Nëse thonë të vërtetën dhe sqarojnë, atëherë do të kenë bereqet në tregëtinë e tyre. Por nëse ata gënjejnë dhe fshehin, atëherë largohet bereqeti nga tregëtia e tyre.”

Kështu që, nëse çështja është e tillë tek shit-blerja, atëherë si do të jetë çështja për të drejtat e autorit që janë të lidhura me çështjet e Fesë, me çështjet e Davetit dhe me çështjet e Sheriatit? S’ka dyshim që bereqeti largohet nga kjo gjë dhe mbaron.

Madje edhe dijetarët e hershëm, Allahu pastë mëshirë për ta, kanë thënë, sikurse Ebu ‘Ubejd el-Kasim Ibn Sel-lam etj: “Prej bereqetit të dijes është referimi i çdo fjale atij që i ka thënë.”

“Prej bereqetit të dijes është referimi i çdo fjale atij që i ka thënë.”

Kështu që, nëse fiton ndonjë dobi nga dikush, atëherë thuaj: “Këtë dobi nuk e kam ditur më parë, e kam mësuar nga filani.” Ose: “Filani është ai që ma ka mësuar këtë dobi.”

Atëherë ç’mund të thuhet për dikë që vjen dhe merr kontributin e dikujt tjetër që ka punuar për muaj, për ditë të tëra, për orë të tëra, e merr kontribut ashtu siç është dhe pastaj e vendos në faqen e tij, madje pa treguar apo përmendur autorin e kësaj pune?! A është e lejuar kjo gjë? A është e hijshme kjo gjë?

Përgjigja në bazë të asaj që është e dukshme është se kjo nuk është e lejuar dhe se ai ka bërë një vepër për të cilën duhet të shpejtojë të bëjë teube – të pendohet nga ai veprim, t’i kërkojë ndjesë autorit të punës dhe t’i kërkojë leje për të.

Kurse autori i punës duhet bashkëpunojë me vëllain e tij se ndoshta ai ka qenë xhahil – injorant ose ndoshta ai ka qenë i rrëmbyer nga entuziazmi dhe nuk ia vuri veshin kësaj çështjeje. Prandaj ai duhet ta falë e të bashkëpunojë me të.

Dhe të gjithë duhet të përpiqen që t’ua mësojnë njerëzve këtë çështje. Dhe çdo njeri duhet të ruajë hakun e tjetrit dhe të mos ndodhin të tilla gjëra ku shkelen të drejtat (e njerëzve). Islami thërret për mbrojtjen e të drejtave si këto, në ruajtjen e tyre dhe në mos-shkeljen e mos-cënimin e tyre.

Dhe Allahu e di më së miri.

This website was created for free with Own-Free-Website.com. Would you also like to have your own website?
Sign up for free